Koncesioni i rezervuarëve të naftës Petrolifera Italo-Albanese ka festuar 10 vjetorin e aktivitetit të Terminalit PIA në Shqipëri. Veprimtaria u mbajt në zonën e banimit të Terminalit, në prani të autoriteteve lokale, klientëve dhe mysafirëve të shumtë.
Pronari i kësaj kompanie Guido Ottolenghi tha se është e rrallë të ndërtosh diçka nga asgjëja. Ndërsa tashmë pas 10 vitesh ta shohësh suksesin e këtij projekti është një privilegj i veçantë.
"Secili prej nesh në jetën e vet profesionale përballon sfida, bën gjëra që hyjnë në memorie dhe gjëra të tjera jo të kënaqshme. Por është e rrallë të ndërtosh diçka nga asgjëja.Të hedhësh një ide, ta përpilosh, ta studiosh , ta analizosh nga ana ekonomike, zyrtare, politike dhe në fund ta realizosh është një privilegj i rrallë. Erdha për herë të parë në Shqipëri në vitin 2001. Në atë periudhë qeveria kërkonte investitorë për të modernizuar sektorin logjistik. Shumë kompani e refuzuan atë periudhë idenë e të punuarit në Shqipëri. Ne gjetëm një mirëpritje të ngrohtë. Por nga ndryshimet e qeverive projekti u vonua. Por disa vite më vonë projekti u realizua" ka thënë pronari i Petroliferas Guido Ottolenghi.