Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi sot në Tiranë kandidatët për këshilltarë bashkiakë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Veliaj nisi fjalimin e tij me një parantezë për protestën e djeshme të opozitës teksa tha se qyteti dje u dhunua nga një grup njerëzish që mendojnë vetëm për interesat e tyre dhe nuk mendojnë për të mirën e Tiranës.
Ai nënvizoi se Tirana e do punën dhe e përbuz dhunën. Veliaj shtoi se opozita dhe drejtuesit e saj nuk kanë aftësi të bindin qytetarët për ti votuar dhe kërkojnë ti imponohen qytetit me gjuhën e dhunës
Kryebashkiaku i Tiranës i bëri thirrje qytetarëve që më 30 qershor, të bëjnë zgjedhjen e duhur për familjet dhe fëmijët e tyre.
Në listën e prezantuar për Tiranën spikasin një sërë emrash të njohur mes tyre edhe aktori i njohur Gaz Paja, ish-futbollisti Redi Jupi por edhe këshilltarë dhe zv. ministra nga kabineti qeveritar i Partisë Socialiste. Por ajo që bie në sy është edhe përfshirja e një sërë emrash të rinj të futur në listë pasi siç edhe vetë Veliaj tha gjatë fjalimit "Tirana është qyteti i të gjithëve, ku edhe një shitësh fiqsh mund të bëhet kryebashkiak".