Jo vetëm qeverisja qendrore krijon borxhe ndaj privatit dhe të tretëve. Kohët e fundit është rritur edhe stoku i borxhit që pushteti vendor u ka partnerëve, duke arritur në më shumë se 58 milionë euro në total në fund të tremujorit të parë të këtij viti, sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në kuadër të evidentimit të detyrimeve të prapambetura të krijuara rishtazi, si dhe monitorimit të shlyerjes së tyre, bazuar në planin e shlyerjes dërguar nga bashkitë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe në zbatim të udhëzimit nr. 1, datë 17.01.2019, ?Për zbatimin e buxhetit të vitit 2019?, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë bërë raportimin e detyrimeve të prapambetura për tremujorin e parë të vitit 2019.Nga përpunimi i të dhënave dhe përditësimi i informacionit nga çdo bashki për periudhën janar-mars 2019, rezulton se stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit mars 2019, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, është rreth 7.17 miliardë lekë. Vlera neto e stokut të detyrimeve të prapambetura është rritur me rreth 0.4 miliard lekë, krahasuar me vlerën e detyrimeve të raportuar në tremujorin e katërt të vitit 2018.
Sipas kategorive, zëri ?Investime? zë peshën më të madhe të stokut të detyrimit me rreth 48.2%, zëri ?Mallra dhe Shërbime? me rreth 20.4%, ?Vendime Gjyqësore? me rreth 17.4% dhe zëri ?Të tjera? me 11.8%. Stoku i bashkisë Tiranë zë peshën më të madhe ndaj totalit të detyrimit me rreth 35.8%, nga 29.5% që ishte në tremujorin e katërt të vitit 2018.Bashkia Tiranë, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2018, e ka rritur stokun e detyrimeve në tremujorin e parë të vitit 2019 me rreth 572 milionë lekë. Por Bashkia e kryeqytetit ka gjykuar të papagueshme për shkak të problematikave që paraqet dokumentacioni i kreditorëve më shumë së 690 milionë lekë.