Ditën e sotme Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dërguar listat me komisionerë pranë KZAZ-ve të qarqeve, pasi siç parashikon Kodi Zgjedhor sot është afati i fundit për dorëzimin e tyre.
Në disa KZAZ listat e komisionerëve të dy partive opozitare nuk janë pranuar duke qenë se ato nuk janë regjistruar në garë si subjekt zgjedhor për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ndërsa në disa qendra të tjera ato janë pranuar formalisht por do duhet të pritet vendimin i Kolegjit Zgjedhor për të marrë një vendim për regjistrimin e tyre.
Procesi është shoqëruar me përplasje në disa qarqe të vendit, duke qenë se përfaqësuesit e opozitës kanë hasur në kundërshtimin e atyre të KZAZ.
Në Gjirokastër KZAZ me nr.78 ka refuzuar të regjistrojë listat e komsionerëve të PD dhe LSI të cilat janë paraqitur nga kreu i PD në Gjirokastër, Dash Aliko, duke sjellë edhe një përplasje mes tyre.
Ndërsa në KZAZ në Shkodër, përfaqësuesit e PD dhe LSI kanë hedhur akuza në drejtim të KZAZ duke thënë se asnjë përfaqësues i tyre nuk është ndodhur në zyra.
"Sot së bashku me PD, pra LSI dhe PD kanë ardhur të dorëzojnë komisionerët, por nuk kemi gjetur asnjë përfaqësues. Të jeni të sigurtë se LSI dhe PD do ndjekin hapat ligjorë deri në Kolegj Zgjedhor. Zyra është marrë në dorëzim para 4-5 ditësh por askush nuk ka qenë në zyrë. kemi ardhur të sjellim listën e komisionerëve por askush nuk është në zyrë", u shprehën përfaqësuesit e PD dhe LSI.