Rreth godinës së qeverisë është vendosur gardhi metalik, ndërsa janë lyer me graso të gjitha shtyllat ku janë të vendosur kamerat e sigurisë në boulevard, por dhe altoparlantët që përdoren nga policia për thirrjet ndaj protestuesve.
Puna e Policisë dhe Gardës ka nisur që orët e para të mëngjesit për shkak edhe të seancës plenare, konkretisht me vendosjen e telit me gjemba përreth gjithë gardhit rrethues të godinës dhe të një tjetër gardhi metalik në rrugën pedonale.
Këto masa merren paraprakisht pasi gjatë protestave të fundit ka pasur një marshim të tubuesve nga Kryeministria, në drejtim të Parlamentit Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Tiranës.
Gjatë tubimeve të opozitës në kryeqytet janë angazhuar 1300 deri në 1500 efektiva policie.
Pas masave të marra në terren, në vijim pritet të hartohet dhe plani nga drejtuesit e Policisë dhe Ministrisë për ruajtjen e godinave shtetërore përfshi Kryeministrinë, Parlamentin, dy Drejtoritë e Policisë dhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.