6 milion Euro është shuma e marrë në grabitjen e 9 Prillit në pistën e aeroportit të Rinasit. Tre banka i kanë kthyer përgjigje Prokurorisë dhe kanë konfirmuar shumat të cilat ato do të transportonin drejt Austrisë ditën e grabitjes. Ndërsa aksioni i policisë për gjetjen e parave vazhdon. Blutë kthehen herë pas herë në fshatrat Dritas dhe Tapizë duke kryer kontrolle në banesa të ndryshme apo dhe vende ku dyshohet se mund të jenë fshehur paratë.
Operacion për gjetjen e parave janë duke u kryer edhe në Elbasan. Dy ditë më parë në zonën e shinave të trenit është gjetur një mjet i djegur plotësisht. Grupi hetimor nuk është në gjendje të thotë nëse ka lidhje me grabitjen, por brenda tij janë gjetur prova që po analizohen. Makina është një e tipit Nisan dhe mes sendeve të sekuestruara është edhe një pistoletë dhe municion luftarak.
Pavarësisht këtij angazhimi shuma prej 6 milion Eurosh ende nuk është gjetur. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar 6 persona por asnjeri prej tyre nuk e di ku ndodhen paratë. Alkond Bengasi i penduari i cili ka identifikuar këta persona si të dyshuar se kanë pasur dijeni për grabitjen. Por Ragip Hajdini, Oltjon Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela dhe Elton Pikli kanë mohuar përfshirjen e tyre ne këtë grabitje.
Një operacion për kapjen e dy vëllezërve Klement dhe Eldi Çala është duke u zhvilluar në disa qytete. Sipas policisë ata ndodhet ende ne territorin shqiptarë. Prokuroria krahas hetimin për zbulimin e të gjithë autorëve të grabitjes ka nisur një hetim edhe për shpërdorim detyre.
Për këtë vepër po hetohen zyrtarë të aeroportit dhe institucioneve shtetërore të cilët dyshohet se nuk kanë kryer detyrën siç duhet. Por kur kanë kaluar tre javë nga grabitja asnjë zyrtarë i aeroportit, kompanisë ICTS apo nëpunës të shtetit nuk janë thirrur ne prokurori për tu pyetur.
Tv Klan