Grabiten 10 milionë euro në pistën e aeroportit të Rinasit, policia vret një nga autorët

Report TV 2019-05-27

Views 3

Një super-grabitje ka ndodhur rreth orës 15:00 brenda në pistën e aeroportit të Rinasit, ku dyshohet të jenë marrë rreth 10 milionë euro, edhe pse shuma mund të jetë më e madhe. Policia e vënë në ndjekje të autorëve, ka mundur të vrasë një nga grabitësit, rreth 2 kilometra larg aeroportit, në rrugën e Hurmave, pasi ata kishin marrë paratë nga 4 makina blind të transportit të parave të 4 kompanisë të ndryshme private prej të cilave, "Nazeri 2000", "Octapus", " dhe Anakonda".

Autorët e tjerë kanë mundur të largohen, ndërsa është kapur edhe një furgon me mbishkrimin të falsifikuar "Hetimi Tatimor" që autorët përdorën për të kryer grabitjen. Dhe duket se pikërisht ky furgon dhe kamuflimi i grabitësve të ketë qenë "mburoja" e tyre për të hyrë në aeroport.

Policia tha se grabitësit kanë hyrë duke thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse. Ata dyshohet të kenë pasur informacion për vlerat monetare të bankave të nivelit të dytë që do të niseshin nga Shqipëria me avion për në Vjenë, ndërkohë që dyshohet të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të brendshëm në aeroport. Autorët kanë mundur të shkojnë deri në barkun e avionit me pasagjerë që nisej për në Vjenë, aty ku në pjesën e bagazheve kanë bërë grabitjen teksa paratë kalonin nga makinat e blinduara për në avion. Mundën të dalin sërish nga aeroporti ndërsa janë ndjekur më tej nga forcat e policisë të cilave u janë përgjigjur me armë. Nga përplasja mbeti i vrarë një ngra grabitësit, ndërsa të tjerët vrapuan në këmbë duke u larguar bashkë me thasët me para ku i priste një tjetër automjet. Makinën e arratisë e dogën më vonë pranë zonës së Bathores, ndërsa në duart e ekspertëve është furgoni me mbishkrimin fals "Hetimi Tatimor", brenda të cilit mund të gjendet një pasuri provash, gjurmë gishtërinj dhe armët e sekuestruara.

Në ndjekje të tyre u vunë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të policisë kufitare të Rinasit. Ka pasur shkëmbim zjarri me policinë dhe gjatë këtij shkëmbimi zjarri pati një viktimë. Autori që mbeti i vdekur kishte një armë kallashnikov me vete, tre krehëra, një granatë dhe tritol.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësi

Nga shkurti i vitit 2015, kjo është grabitja e pestë që ka pasur si objektiv transfertat e vlerave monetare nga bankat e nivelit të dytë nga Shqipëria drejt Austrisë.

Share This Video


Download

  
Report form