U shoqërua nga policia pas protestës në Bradashesh, Boçi: Ditët e Ramës janë të numëruara

Report TV 2019-05-28

Views 0

Pas tubimit të dhunshmë të opozitës në zonën e Bradasheshit në Elbasan policia ka shoqëruar 15 anëtarë të PD dhe ish-deputetin Luçiano Boçi dhe ka vënë në hetim 35 persona të tjerë.

Boçi është lënë i lirë vetëm pak pas shoqërimit. Jashtë dyerve të komisariatit Boçi është ndalur në një prononcim për mediet ku ka akuzuar policinë se është vënë në shërbim të Edi Ramës. Boçi tha se akti i sotëm është një hakmarrje e Ramës për shkak se qytetarët e braktisën në takimin që kishte njoftuar, ku solli me vete administratën.

"Kjo është hakmarrja meskine e Edi Ramës për shkak se qytetarët e Elbasanit e braktisën takimin e tij dhe kërkuan ndalimin e ardhjes së tij në Elbasan. Ata kërkojnë të burgosin opozitën. Opozita nuk është vetëm PD por janë të gjithë qytetarët. Veprimi i sotëm tregon se policia është vënë në shërbim të Edi Ramës pasi sot është ndaluar zinxhiri politik i qarkut të Elbasanit.

Janë 15 të ndaluar për miting të paligjshëm.. Tek e fundit protesta nuk ka qenë e dhunshme nga qytetarët por nga policia. Ajo ka qenë e armatosur deri në dhëmbë, vetëm e vetëm që kryeministri të kalonte i qetë. Administrata ishte marrë me zor me autobusë nga Librazhdi dhe Cërriku. Sot ai ka marrë përgjigjen e merituar. Fakti i sotëm tregon qartë se ditët e Ramës janë të numëruara", u shpreh Boçi.

Një grup protestuesish të udhëhequr nga ish-deputetët Luçiano Boçi, Edmond Spahi dhe Endri Hasa u stacionuan në mes të rrugës duke sjellë bllokimin në trafik të automjeteve, jo vetëm makinave të vogla por edhe autobusëve me pasagjerë.

Forcat e policisë së Elbasanit, të mbështetura edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, mundën të shpërndajnë turmën e protestuesve duke hapur rrugën.

Megjithatë, gjatë gjithë kohës pati përpjekje për të dalë sërish në rrugë. Kur eskorta e kreut të qeverisë po mbërrinte, turma u revoltua teksa nuk mungoi edhe hedhja e shashkave.

Por FNSH dhe policia, nën drejtimin e kreut të bluve të Elbasanit Albert Nushi, mundësuan kalimin pa probleme të eskortës.

Share This Video


Download

  
Report form