Një tjetër apel drejtuar opozitës dhe maxhorancës shqiptare që të ulen dhe të negociojnë, vjen nga Ministri austriak i Drejtësisë, Josef Moser. I ndodhur në një vizitë zyrtare në Tiranë, ai thotë se pikëpamjet e ndryshme të politikanëve nuk duhet të përkeqësojnë situatën në vend.
?Është element thelbësor i demokracisë që të ketë zgjedhje të pavarura dhe që të njihen rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Në një qeveri parlamentare diferencat dhe interesat e ndryshme duhet të jenë të shkëmbyeshme me njëra-tjetrën. Pikëpamjet e ndryshme të politikanëve duhet të fokusohen në të mirën e vendit dhe të mos jenë thjesht mendime të diferencuara politike, të cilat vështirësojnë situatën e vendit. Unë do bëj apel që përpjekjet e përbashkëta që janë bërë deri më tani për ta çuar vendin përpara dhe që janë të parashikuara në një vend demokratik të vazhdojnë dhe të jenë në qendër të bisedimeve diplomatike dhe parlamentare.?
Për Reformën në Drejtësi, Ministri austriak u shpreh se Shqipëria i ka tejkaluar pritshmëritë në luftën kundër korrupsionit.
?Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke krijuar një sistem drejtësie më të pavarur dhe duke minimizuar ndikimin që ka politika mbi të. Janë ndërmarrë hapa të cilat janë shumë të rëndësishme për integrimin, hapa të cilat duhet të njihen pavarësisht se kush i ka ndërmarrë, qeveria apo opozita.?
Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se procesi i Vetting-ut ka hyrë në fazën vendimtare të zbatimit.
?Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë Prokurorisë tashmë janë plotësisht funksionalë. Hapa konkrete janë bërë edhe në procesin e ngritjes së Prokurorisë dhe Gjykatave të Posaçme, si dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shumë shpejt do të kemi të mundur funksionimin e SPAK-ut me qëllimin e vetëm, për ta bërë më efektive luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?.
Përveç projekteve Euralius 5, Twining dhe atij të Vetting-ut, ministrat u shprehën se mes Austrisë dhe Shqipërisë do të këtë të tjera bashkëpunime.
Tv Klan