Pas 5 muajsh në arrati, vetëdotëzohet në Policinë e Tiranës, Ervin Mata, i përfshirë në vrasjen e ndodhur në ish-Bllok në Tetor të vitit 2018. Report Tv mëson një pjesë të dëshmisë që Mata ka dhënë në polici. Ai është shprehur se nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur, dhe se nuk ka qëlluar. "U largova se u frikësova, por nuk kam qëlluar. Mua më sulmuan", - mësohet të jetë shprehur Mata.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e ish-bllokut në Tiranë, mbrëmjen e 4 tetorit të vitit 2018. Në një lokal u qëllua për vdekje Fabjol Gaxha, ndërsa mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim. Ervin Mata u vetëdorëzua këtë të shtunë në policinë e Tiranës.
Eljo Hato u lirua nga burgu në saj të një garancie pasurore prej rreth 1 milionë lekësh, për t'u hetuar në gjendje të lirë. Ai mbeti i paralizuar nga përplasja me armë mes dy grupeve, brenda ambienteve të lokalit. Eljo Hato akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi të dyja palët kanë qëlluar me armë.
Ervis Martinaj edhe pse i plagosur nga kjo ngjarje u arrestua në spital nga policia, për armëmbajtje pa leje, armë e cila u fsheh fillimisht nga pronari i lokalit.