Pa incidente kaloi protesta e opozitës që nisi nga sheshi para Parlamentit, për të përfunduar pas tri orësh në selinë e Partisë Demokratike. Deputetët që firmosën lënien e mandatit iu drejtuan mbështetësve si qytetarë të lirë për të vijuar bashkarisht betejën kundër qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike hoqi paralele mes situatës në Shqipëri dhe asaj në Venezuelë, duke paralajmëruar Kryeministrin Rama se nuk do t?i shpëtojë drejtësisë.
Kreu demokrat iu përgjigj edhe shqetësimit të ndërkombëtarëve për vendimin e lënies së mandateve dhe dhunën e protestës së 16 Shkurtit.
Më pas Basha u kërkoi protestuesve ta ndiqnin në rrugën drejt Kryesisë së Kuvendit ku opozita dorëzoi mandatet. Gjatë kalimit para Kryeministrisë, protestuesit hodhën parrulla për largimin e Ramës.
Pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, turma iu drejtua sërish selisë së Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha pas falenderimit për mbështetësit këndoi Himnin Kombëtar.
Qytetarëve i tha se nga beteja e nisur me ta nuk ka më kthim pas, teksa paralajmëroi një valë të re protestash në mbarë vendin.
Pas fjalës së mbajtur përpara selisë blu, Basha në një takim që zhvilloi me përfaqësues të opozitës ndau edhe porositë e fundit, ku u kërkoi të tijëve të zbresin në zonat elektorale për të vijuar takimet me qytetarët dhe për të ndarë me ta programin e Partisë Demokratike.
Edhe në protestën e të martës masat e sigurisë ishin të larta nisur nga informacionet që posedonte policia se protestuesit e opozitës do të tentonin të hynin në sallën e Parlamentit.
Tv Klan