Me Vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik nr. 77/2019, datë 7 shkurt 2019, është hapur përfundimisht rruga për kryerjen nga privatët të procesit të kontrollit të matësve të karburantit dhe gazit të lëngshëm nëpër pikat e shpërndarjes së karburanteve. Deri më sot, ky proces kryhet nga një institucion shtetëror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Tek ky Komision vitin e kaluar ishte paraqitur një ankesë nga ana e kompanisë zvicerane ?Penzoil Trading SA?, e cila kishte kërkuar që, para se të zhvillohej tenderi, të modifikoheshin dokumentat, duke qenë se dokumentat e paraqitura nga ministria e Financave dhe Ekonomisë shkelnin barazinë në tendera të operatorëve ekonomikë. Por Komisioni ka kundërshtuar të gjithë argumentimin e zviceranëve.
Procesi
Dy herë në vit, është qenë Drejtoria e Metrologjisë që ka kryer deri tani kontrollin e pompave të naftës dhe të gazit të lëngshëm, shërbim që synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga abuzimet me sasinë e karburantit. Por një vendim i Këshillit të Ministrave, i pasuar nga një tender i shpallur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i ka hapur rrugën dhënies së këtij shërbimi me koncesion. Në dhjetor 2016 në qeveri ka ardhur një propozim i pakërkuar nga kompania ?Noa Control?, e cila u ofrua të zëvendësonte drejtorinë e Metrologjisë në kryerjen e kontrollit të distributorëve të karburanteve. Një vit e gjysmë pas propozimit, kompanisë private iu akordua nga Këshilli i Ministrave një bonus prej 10 pikësh, në një garë me fond limit 64.8 milionë lekë të reja për një periudhë 20-vjeçare.Më 17 shtator 2018 ministria e Financave e shpalli tenderin. Në datën 18.09.2018 është publikuar në sistemin e prokurimeve elektronike në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura konkurruese ?E hapur?, me objekt: ?Për kontrollin ligjor të instrumentave matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumentave shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm të naftës (GLN)?, me fond limit 64.890.600 lekë.