Vdekja e 61-vjeçares mbrëmjen e djeshme si pasojë e kafshimit nga disa qenë endacakë (Lexo këtu), është ngjarje që ishte paralajmëruar prej kohësh. Qentë endacakë të paushyer, të pavaksinuar dhe në kushte ku askush nuk kujdeset për ta janë bërë mjaft problematikë. Ngjarja ka tronditur qytetarët e Beratit, të cilët ndihen të kërcënuar nga kafshimi i qenve. Ata shprehen se kjo situatë nuk mund të durohet më.
Një prej qyetareve deklaron se kanë frikë nga qentë nëpër rrugë.
"Ne kemi frikë. T'i shfarosin është mirë. Të na ngulin ndonjë dhëmb, dhe ato dhëmbë duam ne"
Ndërkohë që dhe të tjerët shprehin të njëjtin shqetësim.
"Më shumë qen se sa njerëz. Një ditë më ndoqën nga mbrapa. Kudo që të shkosh qen dynjaja është. Ke frikë të dalësh, ke frikë të lëvizësh"
Një nga këshilltarët bashkiakë shprehet se problematika e qenve endacakë është ngritur disa herë por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
"Ajo që ka ndodhur dje në Berat është një fatkeqësi e paralajmëruar nga ne në disa mbledhje të këshillit bashkiak. Televizionet lokale kanë qenë dëshmitarë të ngritjes së këtij shqetësimi disa herë jo vetëm nga ana ime si këshilltar i djathtë, por edhe nga ana e këshilltarëve të tjerë. Siç e tregoi dhe ngjarja e djeshme kjo mund të shndërrohet në një rrezik siç ndodhi edhe dje me të ndjerën në fjalë"
Ekzekutimi i qenve endacakë disa vite më parë nga ana e bashkisë solli reagimin e shoqatave që mbrojnë kafshët, ndërkohë që mungojnë fondet për trajtimin e tyre e në këto kushte ata janë lënë rrugëve. Mbëmjen ë së enjtes , Selime Braushi, 61-vjeç humbi jetën nga plagët e marra në trup dhe në kokë sepse u sulmua nga qentë enacakë teksa punonte tokën e saj në fshatin Dyshnik, pak kilometra larg Beratit.