Divorcet kanë pësuar rritje gjatë viteve të fundit në rang vendi. Vetëm në qarkun e Beratit për vitin 2018 ka pasur 409 kërkesa për divorc, ku 329 çifte janë ndarë, ndërsa vetëm 80 raste janë rikthyer në bashkëjetesë. Shkaqet e divorceve janë nga më të ndryshmet por më i përhapuri është gjendja ekonomike.
Prej gati tre vitesh çështjet e zgjidhjes së martesave zënë peshën kryesore të çështjeve civile që gjykohen pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Berat. Emigracioni i bashkëshortëve jashtë vendit për të siguruar të ardhura për familjen,puna sezonale në qytete të tjera të vendit,mungesa e besnikërisë, kushtet e vështira ekonomike, diferencat kulturore dhe arsimore kanë qënë shkaqet kryesore të divorceve në qarkun e Beratit. Burimet zyrtare të Gjykatës së Rrethit të Beratit bëjnë me dije se, për vitin 2018 mbërritën pranë kësaj gjykate 409 kërkesa të reja për divorc,ndërkohë që 65 të tjera ishin të mbartura nga viti i kaluar. Për vitin 2018, Gjykata e Beratit zgjidhi martesat për 329 çifte. Shifrat konfirmojnë se, 65% e kërkesave për divorc vijnë nga gratë dhe 35% nga burrat. Avokati Astrit Skëndo,që ndjek prej vitesh çështjet e divorceve, shprehet se shkaqet që po çojnë në rritjen e numrit të kërkesave për zgjidhje martese janë nga më të ndryshmet. Dominojnë shkaqet ekonomike, xhelozia, dhuna, martesat me mblesëri.
Në bazë të statistikave vjetore, rastet e divorceve mësohet se kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Kështu,në vitin 2017, kanë përfunduar me "zgjidhje martese" 153 çifte. Rritja e kërkesave të çifteve për divorc është vënë re që në fillim të vitit 2018,ku vetëm në 3-mujorin e parë të vitit u regjistruan pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat plotë 113 kërkesa për divorc.