Dy personave i janë sekuestruar nën akuzën "pastrim parash" mbi 5.2 milionë euro llogari bankare, 7 apartamente në Lezhë, si dhe disa të tjera në Tiranë.
Report Tv mëson se bëhet fjalë për Shqipe Palaj (50 vjec) dhe Pjetër Voci (83 vjec), të dy banues në Lezhë.
Procedimi penal ndaj këtyre personave në ngarkim për veprën "Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale" është finalizuar pas kërkesës së prokurorit Erjon Shehaj me sekuestron e vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë, më datë 23 janar 2019.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit", sekuestrohen rreth 5.2 mln euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale Sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën "Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale" në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar 2019. Sekuestrot janë llogari bankare në vlerë totale mbi 5.2 milione euro dhe 7 apartamente.