Rruga Tiranë- Elbasan, së shpejti do të jetë në funksion të plotë për qytetarët. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin ku po punohet intensivisht. Drejtuesi i punimeve shpjegoi se punimet teknike janë drejt fundit dhe në mars, rruga do të bëhet e aksesueshme në një pjesë të saj, për të vijuar më pas me vënien në funksion të plotë.
"Aktualisht po punohet për trajtimin e rrëshqitjes këtu. Po bëhen mbrojtëset e skarpatës, tubat e drenazhit, veprat e artit, muret mbajtës për stabilizimin e kësaj pjesës këtu. Po punohet edhe për stabilizantin dhe të gjithë pjesa hidraulike e projektit me kanalet anësore.
Ritmet janë të kënaqshme dhe parashikojmë që në 14 mars rruga të bëhet e aksesueshme për trafikun, karrexhata e majtë përkohësisht, deri sa të mbarojë në përputhje me grafikun e ri të punimeve, në maj të 2019. Kjo ka qenë një nga zonat më problematike të projektit. Kjo ka patur një kosto 9.6 milionë dollarë. Realizmi i saj është 93%. Duhen edhe 800 mijë dollarë dhe kjo të kompletohet", bëri të ditur drejtuesi i punimeve.
Kryeministri u shpreh se kosto e dyfishtë për rindërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan është rezultat i papërgjegjshmërisë në hartimin e projektit të mëparshëm.?Kjo rrugë u bë realisht gangrenë. U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme".
Drejtuesi i punimeve pohoi se vështirësitë kanë qenë të shumta, studimet janë bërë nga e para, pasi projekti fillestar kishte mangësi të mëdha. ?Kosto për efekt të projekteve të bëra jo me fazë fizibiliteti korrekte, pa studime gjeologjike. P.sh., janë bërë 3 studime gjeologjike vetëm tek kjo zonë. Domethënë, duhet t?i kushtohet shumë rëndësi fazës se fizibilitetit, para se të tenderohet. Tani nuk ka më probleme teknike. Është thjesht vetëm çështje kohe", u shpreh ai.
Kryeministri Rama kërkoi angazhim maksimal për të përmbyllur rrugën brenda afatit të parashikuar, në maj.