Nisin negociatat per uljen e tarifave te Rinasit

RTV KLAN 2019-01-15

Views 0

Qeveria ka nisur negociatat për uljen e tarifave që u vendosen kompanive të fluturimit me koncesionarin e Rinasit. Burime zyrtare për televizionin Klan bëjnë me dije se paraditen e së martës është mbajtur një takim i thirrur nga kompania që ka bërë auditimin financiar të koncesionit, BDO, përfaqësuesve të Aeroportit të Tiranës, dy ministrave në detyrë Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj dhe ministrave që do t?i zëvendësojnë ata, Belinda Balluku dhe Anila Denaj.

Në takim, BDO ka prezantuar gjetjet e auditimit financiar që i ka bërë fitimeve të koncesionarit, të cilat mësohet se janë më të larta se skenari bazë i miratuar në kontratën e koncesionit.

Të ardhurat e realizuara nga koncesionari për vitet 2004-2017 janë 120 milionë Euro më të larta se në skenarin bazë të miratuar në kontratën koncesionare, po ashtu edhe fitimet neto dhe pagesat e dividentit janë dyfish më të larta.

Në analizën krahasuese rezulton se edhe fitimi neto që shkon në xhepat e aksionerëve, dividenti, deri në vitin 2027, ku përfundon kontrata me TIA, me skenarin ekzistues arrin në 290 milionë Euro nga 120 milionë që ishte në skenarin bazë.

Tashmë pritet që koncesionari të bëjë argumentimet e tij mbi të dhënat e paraqitura e më pas palët do të nisin rishikimin e pavarur ekonomik të kontratës, e drejtë e cila i buron qeverisë shqiptare në bazë të nenit 19.4 të kontratës.

Në rastin që ka lindur në disekuilibër, ku njëra palë fiton më shumë se sa është parashikuar në skenarin bazë, apo humbet më shumë, atëherë ka të drejtë që të kontraktojë një ekspert të pavarur për të dhënë opinion mbi rikthimin e kësaj balance.

Qeveria kontraktoi kompaninë ndërkombëtare BDO, e cila ka gjetur fitime mbi skenarin bazë të koncesionarit, ku me të gjitha gjasat, rikthimi i balancës do të bëhet duke ulur tarifat që aeroporti i Rinasit u vendos linjave ajrore.

Aktualisht, tarifat e larta të koncesionarit bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të shtrenjta të biletave të fluturimit në rajon.

Share This Video


Download

  
Report form