Rikthimi i dëborës ktheu vështirësitë në disa rajone të vendit, por situata për momentin vijon të jetë në kontroll.
Prefekti i Gjirokastrës kërkoi shpalljen e emergjencës pasi fshatrat Zagorie, Frashër, Kurvelesh e Golem janë të bllokuara.
Në qytet trashësia e dëborës ka arritur në 30 centimetra, ndërsa qarkullimi në aksin Tepelenë-Gjirokastër bëhet vetëm me zinxhirë. Me problem është edhe lëvizja në qafën e Muzinës. Drejtoria Arsimore e këtij qarku pezulloi pa afat mësimin.
Edhe në Dibër reshjet e deborës bien me intensitet të lartë dhe pa ndërpreje që prej të hënës. Prefekti i Dibrës thotë se deri më tani nuk ka asnjë problem, ndërsa për të mbajtur akset rrugore të kalueshme janë vënë në gadishmëri firmat e mirëmbajtjes.
Edhe në Dibër disa shkolla në zona të thella e kanë pezulluar procesin mësimor, për ta vazhduar pas përmirësimit të situatës. Trashësia e dëborës ka arritur në 20 centimetra.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se aktualisht nuk ka asnjë aks rrugor të bllokuar, por cilëson se në veri të vendit lëvizja bëhet vetëm me zinxhir.
Tv Klan