Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar disa zona në Shqipëri.
Situata paraqitet më problematike në qarkun e Dibrës, ku në Peshkopi, trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra, e ndërsa në zona të thella shkon deri në 40 centimetra.
Te të gjitha rrugët nacionale të këtij rrethi këshillohet përdorimi i zinxhirëve, ndërsa disa fshatra në Lurë, Selishtë, Tërnovë dhe Maratanesh janë të bllokuara.
Moti i keq ka përfshirë dhe një pjesë të rajonit të Shkodrës. Edhe pse të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme, pasi firmat e mirëmbajtjes së rrugëve kanë pastruar borën, në zonën e Pukës dhe Tropojës lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë.
Rruga e Kombit është tërësisht e kalueshme pa zinxhirë.
Në qarkun e Elbasanit të gjitha rrugët janë të kalueshme. Më herët ka patur rënie gurësh në disa zona, të cilat janë pastruar nga kontraktori.
Po ashtu edhe situata në Korçë, Gjirokastër dhe Llogara nuk ka përkeqësim krahasuar me një ditë më parë. Autoritetet kanë marrë masat për hedhjen e borës në rrugë, ndërsa po monitorohen drejtuesit e mjeteve për zbatimin e rregullave të sinjalistikës.