Pa kaluar 24 orë nga Asambleja ku u shkarkua gjysma e kabinetit qeveritar, Edi Rama mblodhi mëngjesin e kësaj të shtune Kryesinë. Pesë nga 7 ministrat e shkarkuar janë dhe anëtarë të këtij forumi si dhe drejtues politik qarqesh.
Në mbledhjen ku u diskutua mbi organizimin e partisë në zgjedhjet lokale, ministrave të larguar iu kërkua angazhim maksimal në zonat përkatëse, pasi siç vetë Rama tha në Asamble, në territor kjo forcë çalon.
Kryesia që ka zgjatur jo më shumë se 60 minuta ka vendosur që fillimi i Janarit të shënojë ndezjen e motorëve elektoralë për Partinë Socialiste.
Mbledhjet e Kryesisë nga Janari do të jenë të përjavshme dhe do të merret në analizë çdo takim që do të zhvillohet me elektoratin dhe strukturat lokale.
Kryeministri ishte shumë i ashpër me drejtuesit e partisë në nivel lokal pasi sipas tij janë fokusuar vetëm tek punësimet e familjarëve të tyre.
Në Asamble ai ju tregoi derën, madje si alternativë përmendi dhe krijimin e një force tjetër politike, nëse nuk do të përpiqen të fokusohen tek objektivat që vendosin strukturat drejtuese në qendër.
Protesta e studentëve për Kryeministrin ishte shkëndija për të ndryshuar qeverinë, por dhe për ristrukturim të thellë të Partisë Socialiste.
Tv Klan