Opozita kallëzon penalisht Kuvendin me pretendimin se ka shkelur rregulloren në seancën e 20 dhjetorit kur rrëzoi dekretin e Metës për "Tatimin mbi të ardhurat". Krerët e grupit parlamentar të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili i janë drejtuar përmes një letre Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës ku kërkojnë nisjen e hetimeve për deputetët e maxhorancës për akuzën e "Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës". Në kërkesë theksohet se mazhoranca ka shkelur rregulloren në seancën e 20 dhjetorit, pasi brenda 12 orësh dekreti erdhi në Kuvend, dhe më pas u mblodh në shkelje të rregullores Këshilli i Ekonomisë, që rrëzoi dekretin.
Sipas opozitës, "gjatë seancës plenare nuk është njoftuar se ka pasur ndonjë kërkesë dhe ndonjë miratim nga Kryetari i Kuvendit, që Komisioni përgjegjës për ekonominë, të mblidhej gjatë zhvillimit të seancës plenare".