GJIROKASTER - Ditën kur në Bularat është paralajmëruar mbajtja e një ceremonie në kujtim të Kaçifës, 8 dhjetor ora 11:00, agjencitë shqiptare ligjzbatuese dyshojnë se në territorin shqiptar mund të hyjnë ekstremistët e shpallur non grata. Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha tha në një lidhje telefonike për emisionin "Repolitix" se drejt Gjirokastrës janë nisur forca të antiterrorit. Forcat e sigurisë do patrullojnë kufirin për të penguar futjen e elementëve të rrezikshëm dhe njëherazi të shpallur të padëshirueshëm që prej ceremonisë mortore të Konstandin Kaçifas.
Forca të antiterrorit janë në vijën kufitare për të parandaluar dhe kontrolluar kufirin e gjelbër. Është përforcuar kordoni i kufirit të gjelbër në mënyrë që të prandalohet çdo tentativë për të penguar hyrjen në territorin shqiptar të simpatizantëve të Agimit të Artë. Nisur nga çfarë ndodhi herën e parë, kur u ça sistemi i sigurisë në vendin tonë, janë marrë masa që kjo gjë të mos përsëritet. Përveç 54 personave që u shpallën non grata ka edhe një numër të madh personash që kanë marrë pjesë në aktivitete antishqiptare brenda territorit dhe jashtë Shqipërisë. Prandaj, në këto kushte, do kemi një përqendrim të forcave policore në zonat e kufitare. Besoj se nuk do të shohim skenën që ndodhi gjatë ceremonisë mortore të Kaçifës.
Artan Hoxha, gazetar investigativ
Gjithashtu, gazetari Artan Hoxha zbuloi se po në Gjirokastër në datën 8 dhjetor, po përgatitet një tubim-protestë për shqiptarët e vrarë në Greqi, por autoritetet nuk kanë dhënë leje. Vetëm javët e fundit janë vrarë 4 shqiptarë.