Pas urdhrit të Ministrisë së Brendshme për të ndaluar përdorimin dhe shitjen e kapsollave, Policia e Tiranës ka nisur aksionin për sekuestrimin e tyre. Në dy dyqane në Tiranë janë sekuestruar kapsolla të madhësive të ndryshme, siç mund të dallohet nga këto foto, si dhe janë kallëzuar dy pronarët e tyre.
Po mbi çbazë ligjore po bllokohet tregtimi i kapsollave në Shqipëri?
Zyrtarisht Policia e Tiranës thotë se kapsollat janë bllokuar, për shkak se dyshohet që kanë sasi eksplozivi në brendësi të tyre, gjë që është e ndaluar me ligj. Për këtë arsye Policia thekson se materialet i ka referuar në Prokurori dhe është ky institucion që bën aktet e eksperimentimit për sasinë e eksplozivit që përmbajnë kapsollat dhe më pas vendos ndjekjen penale.
Pra nuk bëhet fjalë për një urdhër të ditëve të fundit, por i referohen ligjit për tregtimin dhe shitjen e mjeteve piroteknike, i cili ndalon përdorimin e kapsollave që kanë sasi eksplozivi dhe që shkaktojnë dëmtime tek njerëzit. Pas eksperimentit që Ministria e brendshme bëri, rezultoi se ky model kapsollash që po tregtohet në Shqipëri ka sasi eksplozivi dhe prandaj ka nisur bllokimi i tyre.
Aksioni do të vijojë përgjatë gjithë ditëve të dhjetorit, ku do ndalohet tregtimi dhe përdorimi i kapsollave që përmbajnë sasi eksplozivi.
Ndërkohë Report TV ka mësuar se Ministria e Brendshme po përgatit një projektligj për ta çuar në Parlament, i cili parashikon ndalimin e importit për të gjitha llojet e kapsollave në Shqipëri. Me këtë projektligj synohet që në vendin tonë, të mos vijnë më kapsolla, por vetëm fishekzjarrë, të cilat do të kategorizohen te mjetet argëtuese.