TIRANE - Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë Berisha është ndaluar nga policia mbrëmjen e së premtes nën akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën me një dëm në buxhetin e shtetit në vlerë rreth 30 milionë lekë. Arrestimi i Kserës, që shënon edhe vënien në pranga për herë të parë të një ish-ministri në vendin tonë, është bërë në një lokal në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, ku ai jeton. Ndaj tij Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar urdhër arresti me akuzën se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash përmes tenderëve fiktivë për fëmijët në nevojë, romët dhe moshën e tretë. Këto aktivitete janë faturuar sikur janë kryer, por nga hetimet e Prokurorisë rezulton e kundërta.
Burime nga Policia e Shtetit thanë për Shqiptarja.com se në pranga ka rënë edhe një ish-zyrtar. Bëhet fjalë për Artevis Menen, ish-punonjës në ministrinë e Kserës, i cili është arrestuar në fshatin Goranci, ku ai jeton, pranë Dervicanit. Një nga personat e arrestuar është dhe A.Karabashi, drejtues i agjencisë ?Karabashi?, ky i fundit është përdorur për falsifikimin e dokumentave fiktive.
Të njëjtat burime sqaruan se janë lëshuar edhe 5 urdhër arreste të tjera, të cilat pritet të ekzekutohen në Tiranë.
Si bashkëpunëtor i Kserës, dyshohet ish-drejtori i kabinetit të tij, Kleves Bitro, i cili pas dy vitesh në arrati u arrestua në 30 korrik të 2015-ës dhe ndodhet në burg për vepra të tjera penale.
Ish-ministri Ksera nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të ndalimit, ndërsa është shoqëruar pa pranga me një makinë policie drejt ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. Ai ndodhet në dhomën e shoqërimit, ku pritet të bëhet edhe transferimi i tij për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Kallezimi nga KLSH dhe ish-ministri Veliaj
Burime nga organi i Akuzës thanë se hetimet nisën pas një kallëzimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ndërkohë në prill të vitit 2015 pasardhësi i Kserës, ministri i Mirëqenis Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, aktualisht kryabashkiak i Tiranës e kallëzoi në Prokurori për ?shpërdorim detyre?, ?Vjedhje duke shpërdoruar detyrën? si dhe ?shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë dhe ankande publike?, gjatë periudhës 2011-2012.