Sandër Lleshaj ka organizuar këtë të martë një ceremoni për nisjen e detyrës në postin e Ministrit të Brendshëm, para memorialit të policëve të rënë në krye të detyrës. Në fillim të ceremonisë, ministri Lleshaj vuri një kurorë me lule pranë memorialit dhe më pas shprehu se nderimi ndaj heronjve të Policisë Shqiptare është mënyra më e përshtatshme për të vlerësuar dhe nderuar angazhimin dhe kontributin e të gjithë punonjësve të saj, që sipas tij, me përgjegjësi dhe përkushtim ofrojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike për qytetarët e vendit tonë.
Ministri i Brendshëm theksoi se Policia e Shtetit është organizata që ka mbajtur barrën më të jashtëzakonshme që nga vitet e demokracisë, e pikërisht për këtë arsye, cilësoi se çdo shqiptar duhet të tregojë respekt të lartë karshi saj.