Report TV - Sandër Lleshaj betohet te Meta, nis zyrtarisht detyrën si ministër i Brendshëm

Report TV 2018-11-23

Views 2

Sandër Lleshaj merr zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm.

Një ditë pas votimit të dekretit në Kuvend, Lleshaj është betuar pasditen e sotme te presidenti Ilir Meta. Ai shoqërohej nga zv/kryeministrja Senida Mesi dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Emri i Gjeneralit, i propozuar nga kryeministri Edi Rama si pasues i Fatmir Xhafajt në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit, shkaktoi përplasje mes maxhorancës dhe presidentit.

Kreu i shtetit refuzoi herën e parë të dekretojë Lleshajn me pretendimin se mbante gradën e ushtarakut aktiv, edhe pse ishte liruar nga detyra e zv/shefit të Shtabit të FA që prej vitit 2012, dhe për rrjedhojë propozimi i Ramës, sipas tij, ishte një problematikë themelore kushtetuese. Por vetë Lleshaj hoqi dorë vullnetarisht nga uniforma ushtarake, duke i kërkuar Metës përmes një letre çdekretimin. Opsion i cili gjeti edhe dakordësinë e kryeministrit i cili gjithashtu i propozoi Metës rrugëzgjidhjen e ngërçit.

Të shtunën e kaluar, Meta dekretoi lirimin e Lleshajt si ushtarak dhe brenda ditës, hodhi firmën edhe mbi dekretimin për emërimin. Një ditë më parë, Kuvendi votoi me 77 vota dekretin e presidentit Ilir Meta për emërimin e Sandër Lleshajt ministër të Brendshëm.

Share This Video


Download

  
Report form