Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e Komisariatit të Policisë në Shkodër. Burime për Report Tv bëjnë me dije se takimi i ministrit të Brendshëm të komanduar ka në qendër luftën ndaj kriminalitetit. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Vizita e Lleshajt dhe Veliu në Shkodër vjen pas një sërë ngjarjesh kriminale që kanë ndodhur gjatë kësaj vere në Shkodër. Mësohet se ministri iu ka kërkuar drejtuesve të këtij komisariati që të godasin personat me precedentë të mëparshëm penalë, si dhe të rrisin rolin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Gjithashtu mësohet se Lleshaj ka lexuar para titullarëve të policisë në Shkodër edhe urdhërin e tij të parë lidhur me imazhin e policisë së Shtetit gjatë orarit të punës.
Gjatë verës së vitit 2018, qyteti i Shkodrës u trondit pas një sërë vrasjesh kriminale. Gjatë muajve qershor-korrik-gusht 2018, në këtë qytet u vranë 6 persona, ndërkohë që 2 të tjerë ende janë të zhdukur.