Policia ka shpallur në kërkim policor këngëtaren Elvana Gjata. Këngëtarja është shpallur në kërkim nga policia, pas ngjarjes që ndodhi më 4 tetor në lokalin Monopol në ish-bllok.
Këngëtarja Elvana Gjata është larguar drejt Vienës 4 orë pasi ndodhi vrasja në ish-bllok. Gjata është shpallur në kërkim të detyruar nga policia, pasi duhet të japë dëshminë e saj për atë çfarë ndodhi.
Burime për Report Tv, bëjnë me dije se policia është në pritje që këngëtarja të shkojë dhe të japë dëshminë në polici, në të kundërt do të bëhet shoqërimi i saj i detyruar.
Këngëtarja Elvana Gjata, deri më tani dyshohet se ka qenë arsyeja e konfliktit që shkaktoi 1 viktimë dhe 2 të plagosur. Përveç Elvana Gjatës, të shpallur në kërkim janë edhe Ervin Mata, i dashuri i saj, si edhe Fabiol Alushi dhe komandoja Meviol Bilo, i cili dyshohet se qëlloi viktimën Fabiol Gaxha.
Më 4 tetor në lokalin Monopol, në zonën e ish-bllokut, një zonë e populluar dhe e frekuentuar nga të rinjtë, rreth orës 21:50 të mbrëmjes, një vrasje tronditi Tiranën. Dyshohet se truproja e këngëtares Elvana Gjata, komandoja Meviol Bilo, ka shtënë me armë mbi truprojën e biznesmenit Ervis Martinaj, Fabiol Gaxha, pasi ky i fundit dyshohet se kishte ngacmuar këngëtaren. Gjata dyshohet se ka qenë në lokal në momentin e ngjarjes, dhe se ka qenë e ulur në tavolin me të dashurin e saj, Ervin Mata, Fabiol Alushin, Geldo Hotin dhe Meviol Bilon.