VLORE-Katër persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një furgon në orët e para të ditës së sotme në qytetin bregdetar. Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit rreth orës 09:00 minuta.
Sipas burimeve të Report Tv autorët u kanë marrë pasagjerëve rreth 10 mijë euro. Furgoni i përkiste një agjencie që bënte linjën Firence-Vlorë nëpërmjet tragetit, ndërsa shoferi i tij është Dëfrim Balili.Personat e grabitur sapo kishin mbërritur në Vlorë nga Italia. Shoferi sapo kishte parkuar pranë stadiumit, furgoni ka rënë pre e grabitjes. Autorët kanë vepruar me shpejtësi. Report Tv siguron pamjet e furgonit që u grabit.Ndërkohë që policia është vendosur në ndjekje, duke arrestuar dy nga autorët rreth një orë pas ngjarjes, ndërsa ka sekuestruar dy armë kallashnikov dhe makinën me të cilën u larguan. Ata u arrestuan në fshatin Panaja, ndërsa në këtë zonë po kërkohen edhe dy personat e tjerë. Report Tv sjell pamjet nga zona ku po vijon operacioni i kërkimit për të kapur dy personat e tjerë.