TIRANE- Zv. Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Elisabeth Millard po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ndërsa mesditën e sotme është pritur në një takim nga kryetari i PD, Lulzim Basha. Kreu i opozitës e njohu Elisabeth Millard me nismën e opozitës për vettingun e politikës, që sipas tij synon pastrimin e Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Basha kërkoi edhe ndihmën dhe mbështetjen e SHBA në këtë proces, që e cilësoi si jetik per vendin.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD, Basha nënvizoi se ky është një proces pastrimi, që nuk pengon hetimet e drejtësisë për politikanët dhe zyrtarët e lartë. ?Në një vend ku krimi dikton vendimmarrjen nuk mund të flitet për institucione të pavarura dhe standarde demokratike?.
Lideri i PD u shpreh se ?Lidhjet e politikës me krimin janë kthyer në shqetësimin kryesor në vend sepse sot kriminelë dhe banda të rrezikshme kontrollojnë qeverisjen dhe përfitojnë shumicën e parave dhe aseteve publike?.
Basha vijoi më tej duke theksuar se ?ndonëse ligji i dekriminalizimit, që u realizua falë këmbënguljes dhe vendosmërisë së PD, nxori jashte institucioneve 333 persona me rekorde kriminale, sot lidhja krim-politike ka gjetur forma te tjera për të qenë në krye të institucioneve vendimmarrëse nga Kuvendi dhe Qeveria, në bashki, polici e kudo?. Elisabeth Millard gjatë vizitës në Tiranë takoi edhe Presidentin Meta dhe zyrtarë të tjerë të shtetit.