Në ditën e parë të hyrjes në fuqi të këtij vendimi, drejtuesit e automjeteve kanë vijuar normalisht lëvizjen duke kryer pagesën në tollin e vendosur.
Për të shmangur vonesat gjatë pagesës apo radhë automjetesh, firma koncesionare ka vënë në dispozicion të drejtuesve të automjeteve 10 sportele, banorët e qarkut të Kukësit kalojnë në korsinë 1 dhe 10 .
"Procesi ka vijuar normalisht dhe radhët kanë qenë inekzistente. Aktualisht janë hapur të gjitha sportelet që të shërbehet sa më shpejt dhe lëvizja të jetë sa më e shpejtë. Qytetarët e Kukësit kalojnë në korsinë e dedikuar, nuk ka pasur asnjë problem", thotë Spartak Tumani, zv/drejtor i AHC.
Në bazë të kontratës mes firmës koncesionare dhe Ministrsisë së Transporteve, banorët e qarkut të Kukësit që identifikohen përmes targave të automjetit, përfitojnë tarifë të reduktuar prej 100 Lekësh, ndërsa janë përjashtuar nga tarifat grupi i invalidëve. Vet drejtuesit e automjeteve, thonë se tarifa e vendosur për qarkullimin në Rrugën e Kombit është e përballueshme.
"Qëndruam shumë pak gjatë pagesës, vetëm disa sekonda. Tarifa është e përballuehsme, paguam 5 Euro".
Ashtu siç është bërë e ditur, për kategorinë "Përdorues të shpeshtë", pavarësisht nga klasa e automjetit, firma koncesionare ka aplikuar zbritje të tarifës në bazë të numrit të kalimeve për çdo automjet në muaj. Ato do të regjistrohen në sportelet e pagesës që do të funksionojnë gjatë 24 orëve.