Shkulja e 250 rrënjë mandarina në fshatin Xarrë të Bashkisë së Konispolit në mënyrë demonstrative nga policia si të ishin fidanë kanabisi, ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe ato mediatike. Në një intervistë për Report Tv, kryebashkiaku Shuaip Beqiri sqaron atë çfarë ka ndodhur dy ditë më parë teksa fermerët Koço dhe Margarita Jani akuzuan Policinë dhe Bashkinë për veprime arbitrare duke shkulur nga toka mandarinat e mbjella njësoj si të ishin bimë narkotike.
Beqiri tha se kontrata e fermerit me Bashkinë e Konispolit, i cili kishte marrë me qira parcelën, nuk ishte për qëllime bujqësore, por për shfrytëzimin e tokës për kullota. Sipas tij, shkelja e kontratës nga fermeri solli edhe ndërhyrjen e autoriteteve.
Toka ishte dhënë me qira për kullota dhe të shfrytëzohej për kositjen e barit. Sipas ligjit, nuk lejohet të bëhet nga kullotë në tokë bujqësore. Nga ana e Bashkisë janë kryer të gjitha procedurat. Është thirrur personi në Bashki, është konsultuar dhe i është bërë e ditur se duhet të respektojë pikat e kontratës me bashkinë. Nuk bëjmë qoka me tokat pronë të bashkisë, apo pronë shtet, por zbatojmë ligjin. Nuk mund ta tjetërsojë kush pronën e Bashkisë pa kaluar të gjitha instancat shtetërore. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit është bërë për llogarinë tonë, me kërkesë të policisë bashkiake.
Shuaip Beqiri, kryetar i Bashkisë Konispol
Beqiri thekson gjithashtu se fermerit iu la tre ditë kohë për zhvendosjen e rrënjëve në tokën e vet nga prona shtetërore. Pasi ato u shkulën nga policia, thotë ai, fermeri i mbolli në tokën e tij private.
I ofruam tre ditë kohë që të bënte zhvendosjen e pemëve në tokën e vet. Nuk e pranuan këtë marrëveshje me Bashkinë. Pasi u krye veprimi dolën me teorinë që nuk na u ofrua asgjë. Anarshi nuk mund të lejohet, jo kushdo mund të zërë tokën e Bashkisë dhe të bëjë çfarë të dojë. Zotëria i ka mbjellë ato pemë në tokën e vet. Këtë mund ta verifikoni. I ka mbjellë, ato pemë të shkulura, që ditën e nesërme në tokën e vet.