Në mbyllje të konferencës së ministrave të Brendshëm Ballkanikë, vendeve pjesëtare të Konventës për Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore (PCC SEE), MB të vendeve anëtare të BE, Organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe Presidencës austriake të BE, u bë një komunikim me median mbi rezultatet e këtij takimi shumëpalësh. Konferenca ekskluzive për shtyp u zhvillua nga Ministri i Brendshëm i Austrisë Herbert Kickl, si vendi mbajtës i Presidencës së BE si dhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj, si perfaqesues i MB të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Konventës për bashkëpunimin policor të Evropës Juglindore.
Interesi kryesor i medias ndërkombëtare në sallë, ishte për çështje të tilla si: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit, përballimin e migracionit të paligjshëm dhe bashkëpunimi mes vendeve të konventës dhe atyre të BE-së etj.
Në ekspozenë e tij, Ministri Kickl foli për shtrirjen në vendet e Ballkanin Perëndimor të Konventës së Prümit, mbi shkëmbimin e informacioneve për çështje të sigurisë mes vendeve të BE-së. Ai nënvizoi se kjo Konventë ka dhënë shumë rezultate ndaj këtë instrument duhet ta zgjerojmë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ai tha gjithashtu se shtetet e Ballkanit perëndimor janë treguar partnerë të besueshëm, për këtë arsye duam të zgjerojmë bashkëpunimin me ta.
?Sot do diskutojmë për rritjen e kapaciteteve të këtyre vendeve, konfirmimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit që kemi pasur deri më sot në tema si parandalimi i kriminalitetit të organizuar apo dhe për tematika të lidhura me terrorizmin, luftëtarët e huaj apo vatrat terroriste, që janë të pranishme brenda këtyre vendeve?, tha ministri Kickl.
Ministri Xhafaj në paraqitjen që i bëri punimeve të konferencës, ndër të tjera theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve nënshkruese të konventës me institucionet e BE-së dhe vende të veçanta brenda BE-së. Ai vuri në pah ndihmën e pakursyer të Austrisë dhe insistoi që edhe vendet e tjera të BE të jenë më shumë kontribues për rajonin e Ballkanit.