Përcaktohen për herë të parë rregullat dhe procedurat për zbatimin e vendimeve dhe urdhrave të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, kryesisht për çështjen e pronave, por edhe për mosmarrëveshje të tjera mes shqiptarëve dhe shtetit të tyre. Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, ka depozituar një projektligj në Kuvendin e Shqipërisë, i cili ndryshon ligjin për Avokaturën e Shtetit. Projektligji i depozituar nga deputeti socialist është hartuar nga një grup pune i përbërë nga ekspertë të nivelit të lartë, nga përfaqësues të opozitës, përfaqësues të Gjykatës së Lartë dhe Avokaturës së Shtetit. Nisma pritet të shqyrtohet dhe miratohet gjatë javëve në vijim nga Parlamenti.
Zbatimi i vendimeve
Përpos të tjerave, nisma ligjore, në nenin 14, parashikon autoritetin që do të zbatojë vendimet e Strasburgut, bashkë me rregullat dhe procedurat. Në këtë nen përcaktohet Avokatura e Shtetit si organ përgjegjës për ndjekjen e procedurave për zbatimin e vendimeve të Strasburgut pro ose kundra shtetit shqiptar, brenda një afati 3-mujor. ?Avokatura e Shtetit nëpërmjet Agjentit Qeveritar është organi që vë në lëvizje procedurën e ekzekutimit të vendimeve ose urdhërimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Vendimet e formës së prerë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ekzekutohen, nga institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim, brenda afatit 3 mujor nga momenti kur vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka marrë forme të prerë?, parashikon nisma ligjore. Po ashtu, Avokatura e Shtetit përcjell aktet në institucionet që kanë detyrimin për ekzekutim brenda 15 ditëve kalendarike nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë. Deri më tani, në legjislacionin shqiptar, nuk ka ekzistuar një rregull i shkruar për mënyrën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Ekzekutimi i vendimeve të Strasburgut, si detyrim që vjen nga nënshkrimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, është bërë sipas një praktike e ndjekur në vite, por pa pasur parashikime ligjore, çka ka sjellë vonesa në ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë.