Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën e parë për Bledar Jambellin dhe Shpëtim Lecin të shpallur në kërkim si porositësit e vrasjes së Artan Cukut. Shkak u bë mungesa e përgjigjeve nga Drejtoria e Policisë së Beratit dhe ajo e Fierit, nëse i kanë njoftuar apo i kanë gjetur dy personat e shpallur në kërkim.
Për këtë, togat e zeza vendosën t?i drejtohet me ankesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut. Sektori i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme ka njoftuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda se këta dy shtetas fshihen jashtë Shqipërisë.
Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë. Për vrasjen e Cukut gjykata ka dënuar me 10 vite heqje lirie Mikel Shallarin, i cili bashkëpunoi me drejtësinë dhe tregoi emrat që urdhëruan krimin.
Shallari ka treguar përballë hetuesve se Jambelli është arrestuar në 2012 nga Cuku, kohë kur mbante postin e Drejtorit të Policisë së Vlorës, i dyshuar si vrasës me pagesë. Për këtë Jambelli kontaktoi përmes Lecit me Shallarin dhe urdhëroi vrasjen e Artan Cukut.