U takuan secili më vete me shefen e diplomacisë europiane Federika Mogherini, që ndërmjetëson dialogun mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Por Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç nuk ulën në një tryezë të përbashkët në Bruksel.
Ishte presidenti serb që refuzoi takimin tripalësh me zonjën Mogherini me arsyetimin se Prishtina po mundohej të pengonte vizitën e tij në veri të Kosovës. Megjithatë Thaçi theksoi se komunikimi me Vuçiçin ka ecur përpara përmes kryediplomates europiane.
"Kemi negociuar përmes Zonjës Mogherini. Për shkak të dallimeve të thella është më e arsyeshme që të ndodhë në një kohë më të përshtatshme e më të volitshme".
Molla e sherrit duket se është vizita e mundshme e presidentit Vuçiç në liqenin e Gazivodës. Policia e Kosovës njoftoi këtë të premte se nuk do ta lejojë atë, pasi e konsideron dalje nga plani. Ndonëse mohoi të ketë dijeni, Thaçi nënvizoi se duhet respektuar protokolli shtetëror.
"Itinerari i vizitës është i përcaktuar shumë më herët. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar vullnetin e mirë që Vuçiç t?i drejtohet qytetarëve të Kosovës".
Ndërsa për ministrin e jashtëm Behgjet Pacolli, vizita në liqenin e Gazivodës është e paarsyeshme, për sa kohë atje nuk ka një komunitet serb.
Ndërsa shefi i zyrës për Kosovën Marko Gjuriç, pjesë e ekipit negociator serb e konsideroi të papranueshme deklaratën e Thaçit, se nuk do të pranojë asgjë tjetër në dialog, veç bashkangjitjes së Luginës së Preshevës në territorin e Kosovës.
"E patë se çfarë bëri mbrëmë Thaçi kur tregoi se si do të flasë për Medvegjën, Preshevën dhe Bujanovcin, duke na parashtruar për diskutim kërkesë për një territor më të madh se Kosova në jug të vendit tonë".
Federica Mogherini tha se beson në angazhimin e plotë të të dy presidentëve për të vijuar punën për arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore. Takimi i ardhshëm mes dy presidentëve pritet të mbahet në dy javët e ardhshme. BE njoftoi se ai do të zhvillohet përpara javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e parashikuar në javën e fundit të shtatorit.
Tv Klan