Rama: Vettingu te nise nga mua

RTV KLAN 2018-09-07

Views 1

"Vetting për politikanët po, por zbatimi i vettingut në sistemin e drejtësisë nuk preket". Edi Rama, përpara Asamblesë Kombëtare të PS i kthen përgjigje kreut të demokratëve dhe thotë se është i gatshëm që ky proces të nisë nga ai vetë, por më parë të ulen me Lulzim Bashën për të përcaktuar filtrat dhe strukturat që do ta drejtojnë këtë proces.

E duke iu përgjigjur sërish opozitës për rritjen e kriminalitetit, Rama flet me shifra krahasuese për të rrëzuar akuzat se pasiguria dhe krimi janë rritur nën qeverisjen e tij.

E ndërsa nuk pranon akuzat e opozitës lidhur me rritjen e kriminalitetit, asesi kreu i qeverisë nuk mund të pranojë akuzat që vijnë nga gjiri i partisë së tij. Ai komunikoi vendimin e përjashtimit nga grupi parlamentar i PS i deputetit të Kurbinit Gjetan Gjetani, i cili në rrjtete sociale e cilësonte situatën në këtë zonë sa i takon kriminalitetit, të papranueshëm dhe bënte përgjegjës drejtuesit e policisë së këtij qarku. Por Rama zbulon se arsyet e këtij sulmi ndaj policisë nuk lidhen me shqetësimin për pasigurinë.

"Ai donte të emëronte drejtues në polici".

Përjashtim lajmëroi dhe për krerët e degëve të PS, që sipas tij janë kthyer në sekser për emërime në administratë.

Ndryshime në qeveri nuk pati siç ishte përfolur, por Rama kritikoi disa nga dikasteret që sipas tij nuk janë në lartësinë e kërkuar nga ata që i votuan.

Më shumë vëmendje ndaj qytetarëve kërkon dhe nga krerët e bashkive, të cilët do të zbresin në bazë në një tur llogaridhënie, dhe vetëm pas kësaj analize mund të pretendojnë të rikonfirmohen. Përgjegjësi personale merr kur thotë se ka humbur shumë kohë duke u marrë me opozitën, tani fokusi vetëm ata që i kanë zgjedhur.

Një tjetër fushatë do të jetë ajo për të anëtarësuar brenda vitit 30 mijë anëtarë të rinj. Ndërsa ministrat do të vazhdojnë të gjithë të drejtojnë dikasteret që u janë besuar, ndryshimet e vetme ishin ato në Sekretariatin e partisë.

Share This Video


Download

  
Report form