MEMALIAJ- Një 43-vjeçar është gjetur i vrarë në tokën e tij në fshatin Rabie. Viktima i identifikuar si Alket Muhaj është gjetur në orën 10:10 të mëngjesit nga gruaja e tij në tokën e tyre ku edhe kishte dalë për të kullotur bagëtitë.
43-vjeçari dyshohet se është qëlluar në distancë të afërt me dy plumba në kokë e në gjoks, ndërkohë burime informacioni jo zyrtare pranë policisë bëjnë me dije se ai mund të jetë ekzekutuar pasi ka denoncuar mbjelljen e parcelave me kanabis në zonën e Memaliajt tek Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Ministria e Brendshme dhe Policia po tregohen të rezervuara me informacionin, teksa janë mjaftuar me një njoftim të shkurtër 12 orë pas ngjarjes.
Një pistë tjetër për vrasjen e tij është ajo e konflikteve për pronat, ku sipas gruas së tij, 43-vjeçari ishte shfaqur i shqetësuar, shqetësime të cilat ia kishte shfaqur edhe asaj por pa i përmendur diçka konkrete.
Njoftimi i policisë për vdekjen e tij, erdhi pa shumë detaje pas publikimit të lajmit në Report TV.
Vetë viktima jetonte në fshatin Rabie bashkë me gruan dhe me dy fëmijët, ndërsa prindërit e tij jetonin në Patos. Trupi i tij është çuar në spitalin e Fierit, ku edhe do të bëhet ekspertiza, kjo për shkak të afërsisë në lidhje me spitalin e Gjirokastrës.