Mbingarkesa dhe fluksi i madh i lëvizjes në rrugën Fier-Levan, është bërë shkaku kryesor i numrit të lartë të aksidenteve ne këtë segement rrugor. Me mijëra automjeteve u duhet të kalojnë në një rrugë të ngushtë, me shumë kthesa dhe me asnjë mundësi manovrimi në rast rreziku.
Edhe pse Policia Rrugore e ka përfshirë në akset rrugore prioritare për kujdes nga ana e tyre, sërish aksidentet nuk janë shmangur. Në vetëm 3 muaj, në këtë aks janë shënuar 15 aksidente. Dhjetra të plagosur dhe disa viktima është bilanci i kësaj vere .
Aksi Fier - Levan është e vetmja nyjë për turistët të kalojnë për në plazhet e jugut. Fluksi është i papërballueshëm për një rrugë e cila është drejt degradimit. Por kur rasteve u shtohet pakujdesia e drejtuesve të mjeteve, situata bëhet më e frikshme. Përveç se nuk respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale, drejtuesit e mjeteve nuk shmangin përdorimin e celularëve, nuk respektojnë shpejtësinë e lejuar si dhe parakalojnë në mënyrë të gabuar.