Subscribe në Ora Neës këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Shkarkimet e deritanishme nga vetingu duket se do të vonojnë edhe për disa muaj formimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë.
Vonesa në formimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Këshillit të Lartë gjyqësor dhe atij të prokurorisë, u bë shkak që KPK të punonte me ritëm të shpejtuar me deri në 6 seanca në ditë gjatë korrikut.
Anëtarët e organeve të reja të drejtësisë, të përzgjedhur në 57 kandidatësh, u renditën në listën prioritare për tiu nënshtruar vetingut me qëllim që të fillonin punën sa më shpejt.
Aktualisht në veting kanë kaluar 51 nga 57 emrat e listës prioritare por 21 prej tyre janë shkarkuar nga KPK duke lënë vakante vendet për të cilat ishin zgjedhur në KED, KLGJ E KLP.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi e vetëm që mund ti japë zgjidhje ngërçit të Gjykatës së Lartë e cila ka mbëtur me vetëm katër anëtarë. po ashtu klp është organi që nis procedurën për byronë kombëtare të hetimit dhe prokurorinë antikorrupsion, të emërtuar SPAK.
Sinjali i parë i vonesave të mëtejshme u dha nga gjykata e lartë e cila më 31 korrik 2018 njoftoi nisjen e procedurës për kandidaturat e reja për në KLGJ nga Gjykatat e Apelit në rrethe pasi emri i zgjedhur më parë për këtë pozicion, Besim Trezhnjeva u shkarkua me vendim të formës së prerë pasi nuk e kaloi vetingun.
Në pritje të kësaj kandidature nga apelet jashtë Tiranës, KLGJ pritet të formohet pas përzgjedhjes së dy emrave nga pesë kandidaturat që kanë kaluar vetingun nga Gjykatat e Shkallës së Parë brenda tiranës, ndërsa kalimi i vetingut nga Medi Bici ka plotësuar vendin e anëtarit që i përket Gjykatës së Lartë dhe nuk ka nevojë për votim pasi kandidati tjetër Atan Zeneli u shkarkua nga KPK.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ketë vonesa pasi nga 5 prokurorë të kualifikuar nga shkalla e parë, të cilët e kanë kaluar vetingun, duhet të përgjidhen vetëm tre prej tyre. në ngërç është edhe lista me kandidatët e KLP nga Prokuroritë e Apelit e cila nuk ka asnjë emër të konfirmuar pasi Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u shkarkuan.
Kandidati tjetër, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës është në pritje të vendimit nga KPK dhe nëse konfirmohet në detyrë, përsëri mbetet një vend i paplotësuar nga kandidaturat e prokurorive të shkallës së dytë. Situata është e zgjidhur për kandidatëve nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi për 1 vend në KLP, e kanë kaluar vettingun kandidatët Anila Leka e Kostaq Beluri ndërsa është në pritje Ramadan Troci.
E bllokuar është edhe çështja e Gjykatës Kushtetuese për të cilën nuk mund të zgjidhen anëtarë të rinj pa formimin ë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ku deri tani janë konfirmuar vetëm tre nga 9 anëtarë të nevojshëm.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/drejtesi-shtyhet-ngritja-e-institucioneve-te-reja