Kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku raportoi për rreth tre orë sot në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit për vitin 2017. Ish-prokurorja e Shkodrës mori detyrën në dhjetor 2017, duke pasuar në krye të organit të akuzës, Adriatik Llallën. Mbledhja filloi dhe u mbyll me debate të forta e akuza nga PD në drejtim të Kryeprokurores.
Opozita fillimisht kërkoi shtyrjen e raportimit me arsyetimin se ishte shkelur rregullorja sepse nuk ishte në kalendar, por në fund u arrit konsensusi që raportimi i Markut të realizohej sot. Kryeprokurorja Arta Marku deklaroi se në vitin 2017 prokuroria ka hetuar vetëm 17 banda dhe 12 zyrtarë të lartë. Shefja e akuzës tha se ka mjaft probleme për hetimin pasuror, ndërsa po përgatitet një udhëzim për të gjithë prokuroritë se si duhet të veprojnë.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit gjatë 2017 ka pasur 12 procedime penale, 6 për zyrtarë të lartë dhe 6 prokurorë e gjyqtarë. Nga Krimet e Rënda janë kryer hetime pro aktive për 11 procedime penale. Ka pasur një rritje prej 69% të procedimeve për korrupsion në 2017, në krahasim me 2016. Për 2017 për korrupsion, prokuroria ka regjistruar 124 procedime penale. Nga 2017 ka pasur 17 procedime për banda dhe organizata kriminale, 16 për grup të strukturuar, ndërsa në 2016, 17 për këtë vepër. Hetimet nga prokuroria në 2017 nuk i përgjigjen perceptimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve, mungesë bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Arta Marku