Komisioni i Ligjeve ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës. Komisioni miratoi me 10 votat e shumicës projektvendimin që i hap rrugë zgjedhjes së prokurorit të ri, ndërsa opozita PD-LSI u largua nga mbledhja pas debateve të forta.
Në bazë të projektvendimit të miratuar nga shumica, komisioni i Ligjeve fton të gjithë prokurorët që të aplikojnë për pozicionin vakant, ndërsa parashikohet që brenda 30 ditëve të mbyllet procesi dhe të caktohet pasuesi i Llallës me shumicë të thjeshtë.
Në komisionin e Ligjeve për më shumë se tre orë kishte një debat të fortë mes dy palëve. Opozita e kundërshton zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, ndërsa kryetari Ulsi Manja i ka cilësuar si anti-amerikanë dhe anti-europianë, referuar deklaratave të dy ambasadave që kërkojnë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me shumicë të thjeshtë.