Vetting-u kap gjyqtarin e Gjykates se Larte

RTV KLAN 2018-07-10

Views 4

Admir Thanza, gjyqtar në Gjykatën e Lartë, me shumë mundësi nuk do ta kalojë filtrin e vetting-ut. Ai doli këtë të martë përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ku rezultoi se ka probleme me justifikimin e pasurisë dhe ka fshehur një dënim për vjedhje në Itali. Sipas Komisionit, në vitin 1999 Thanza është dënuar në Pisa me 40 ditë burg dhe një gjobë prej 100 mijë liretash për vjedhje të kryer në bashkëpunim. Gjyqtari është arrestuar në flagrancë dhe ka qenë i pranishëm në sallë, kur është dhënë vendimi, i cili është pezulluar nga gjykata italiane. Këtë dënim gjyqtari nuk e ka deklaruar, madje e ka fshehur atë.

Gjyqtari, në një gjendje të rënduar emocionale ka dhënë në sallë versionin e tij për ngjarjen e 20 viteve më parë. Sipas tij, autore e vjedhjes ishte ish-kunata e tij, e cila sëbashku me të ndodhej në Itali, pasi nipi vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhej për kurim atje.

Thanza tha se gruaja e vëllait të tij kreu vjedhjen, por duke qenë se ajo duhej të kujdesej për djalin e mori ai përgjegjësinë për ngjarjen. KPK e gjeti në shkelje gjyqtarin edhe me justifikimin e pasurisë. Thanza ka deklaruar se zotëron 2 apartamente në Shkodër dhe Tiranë, por ka mospërputhje për mënyrën si janë paguar paratë për blerjen e tyre. Edhe një apartament dubleks në Gjirin e Lalëzit, 99,5 metra katrorë, gjyqtari e ka deklaruar 38,8 metra, ndërsa tha se ka harruar të deklarojë një garazh.

Sipas 50-vjeçarit çdo gjë e ka të deklaruar dhe pasuria e tij është e ligjshme dhe e justifikuar, për shkak edhe të bizneseve të gruas. Thanza ka probleme edhe me pastërtinë e figurës, pasi sipas DSIK-së nuk ka deklaruar një procedim penal të pushuar në 2016 nga Prokuroria e Përgjithshme.

DSIK raportoi se ai ka pasur kontakte me persona me precedentë penalë dhe nuk është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. Por KPK i ka hedhur poshtë këto pretendime si të pabazuar në prova. Vendimi për Admir Thanzën pritet të merret në 17 Korrik.

Share This Video


Download

  
Report form