Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Pasi ka premtuar se asnjë drejtor i zyrave të punës nuk do të largohet nga detyra pasi ka përmbushur objektiva mujore, kryeministri Edi Rama, tha se numri i të punësuarve është 28 mijë persona. Sipas Ramës, kjo shifër mund të përqeshet në rrjetet sociale.
Rama: Ne kemi filluar të operojmë me metodologjinë e re dhe më vjen mirë që të gjithë zyrat kanë realizuar objektivat. Një pjesë kanë tejkalime që kanë kaluar çdo parashikim. Potenciali në terren është i madh, por edhe puna e bërë prej jush është serioze dhe meriton të vlerësohet. Më vjen mirë që për disa muaj rresht, askush nuk do të largohet nga detyra, përderisa e kemi bërë të qartë se kush realizon objektivin e muajit, është i sigurt në detyrën e tij. Pa dashur të marrë kohë me zyrat një për një duke përgëzuar në veçanti zyrën e Beratit, zyrën e Skraparit, pavarësisht se në numra absolut janë më të vegjël, por në realitet rezultatet janë qartësisht të dukshme në raport me numrin e kërkuar, zyrën e Gramshit, zyrën e Librazhdit, Peqinit, Gjirokastrës përsëri.
Duke iu referuar sistemit tonë të taksave, emër për emër për çdo person të punësuar nga maji i vitit të kaluar në këtë qershor ne kemi 28 mijë e 324 të punësuar më shumë formalisht edhe në sektorin jo bujqësor. Shifër që jam i bindur në rrjetin e komentatorëve të ERTV do përqeshet, do shikohet si gënjeshtër etj etj, por është realiteti siç është realiteti edhe fakti që përmes zyrave të punës, vetëm përmes tyre janë punësuar në 6 mujor mbi 14 mijë persona.
Muaji qershor sipas Kryeministrit është më i suksesshmi sa i përket punësimeve, ndërsa theksoi se janë të lira rreth 31 mijë vende.
Rama: Vetëm përmes zyrave të punës janë punësuar 14593 persona në këtë 6 mujor. Ky është fakt. Të gjithë ata që nuk duan të mbeten thjesht tek pasqyra e kazanit dhe nuk duan të jenë në anën e llogores së baltës dhe përqeshjeve, por duan të bëjnë verifikimin e këtyre shifrave është e thjeshtë; mjafton të shikosh regjistrin e sigurimeve shoqërore.
Por përsëriti se tregu ka nevojë për njerëz të kualifikuar.
Rama: Tregu i punës ka një hall të madh për njerëz të kualifikuar.
Rezultatet ia atribuoi zyrave të punës, ndërsa për disa drejtori rajonale pati edhe kritika duke kërkuar rritje të përformancës.
Rama: Zyrat rajonale duhet të jenë më bashkëpunuese, më të përfshira, më transparente me zyrat vendore për mbarëvajtjen e punës së përbashkët, gjë që jo gjithmonë rezulton se bëhet.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama parashtroi nevojën e krijimit të një websaiti, ku qytetarët do të kenë mundësi të njihen me vendet e lira të punës.
Për më shumë lexoni në:
http://www.oranews.tv/article/rama-kemi-punesuar-28-mije-persona-pavaresisht-se-mund-te-perqeshet-ne-facebook