Pas 12 orësh diskutime, debat dhe tensione të forta, Kuvendi i Shqipërisë me votat e shumicës ka miratuar projektligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar. Në fund të diskutimeve, opozita bllokoi foltoren duke kërkuar që projektligji të mos miratohej, por shumica e kaloi me 75 vota pro. Mes 75 votave që mori projektligji ishte edhe ajo e deputetit të LSI, Robert Bitri.
Ndërsa disa deputetë nga shumica munguan, mes tyre edhe Pandeli Majko, për të cilin PD përmes deputetit Mima iu drejtua Ramës duke e pyetur nëse e ka larguar ai për të shmangur një votë kundër. Pas votimit të projektligjit, deputetët e opozitës, PD dhe LSI në momentin e largimit nga salla nxorën kartonët e kuq duke i hedhur në drejtim të qeverisë dhe kryeministrit. Ndërsa Rama bëri ironi duke u shprehur se ?edhe kartonët që do të gjuani janë jeshilë?.
Tashmë ligji i votuar ndodhet në dorë të Presidentit Ilir Meta. Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i kanë bërë thirrje Presidentit Meta që të mos e dekretojë ligjin, por ta kthejë sërish në Kuvend. Opozita e cilëson si grabitje dhe pastrim parash projektin për ndërtimin e teatrit të ri. Godina është planifikuar që të ngrihet mbi rrënojat e të vjetrit, ndërsa bashkia e Tiranës së bashku me një grup nga aktorët do të negociojnë për detajet e projektit.