Drejtori i Zjarrfikëses në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka inspektuar godinën e Teatrit Kombëtar, pas plasaritjeve që pësoi nga tërmeti i fuqishëm që goditi sot kryeqytetin dhe disa qytete të tjera.
Drejtori Goxhaj deklaroi se kjo godinë është tepër e rrezikuar dhe mbrojtja nga zjarri është në nivele minimale. Sipas tij, nëse ndodh një ngjarje në godinën e teatrit duhet dyfishi i kohës që qytetarët të dalin jashtë.
Ai tha se tërmeti la disa pasoja në godinë, ku ka plasaritje dhe çarje.
Është bërë një inspektim i godinës së teatrit. Konstatuam që tërmeti ka lënë disa pasoja në godinë. Ka plasaritje dhe ka shenja që ka lënë tërmeti, ka pasoja. Në këtë godinë ka pasur një akt bllokimi për moszhvillim aktiviteti prej vitit 2002, por institucionet kanë lejuar vazhdimin e aktiviteteve. Ne kemi bërë kontrolle, por pas kontrollit të 2014 nuk kemi lënë akt bllokimi. Mbrojtja nga zjarri është si në një dyqan të thjeshtë, për dëme të vogla. Ky teatër nuk mund të bëhet. Në krah të majtë të sallës ka pas dalje. Nëse kemi një ngjarje këtu duhet dyfishi i kohës që të dalin qytetarët jashtë. Është në nivele minimale mbrojtja nga zjarri.
Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Zjarrfikëses në Tiranë