Teatri Kombëtar është në gjendje të mjerueshme, i pasigurt ndaj edhe duhet mbyllur menjëherë. Ky është vlerësimi i Institutit të Ndërtimit, dhënë gjate degjesës që u realizua nga Bashkia e Tiranës me arkitektë dhe ekspertë për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
?Në konkluzionin e Institutit ky lloj institucioni është i pabanueshëm. Për ne duhet urgjentisht të pezullohet aktiviteti. Për ne si institucion, ai duhet të rrafshohet dhe të konceptohet me ato kushtet teknike që janë të sotme për një objekt që është social kulturor dhe i dedikuar për teatrin. Pasi teatri ka specifikat të veçanta?, tha Agron Hysenlliu, Kreu i Institutit të Ndërtimit.
Përfaqësuesja e institutit te monumentit të kulturës, vuri theksin se përgjatë 4 viteve janë bërë ndërhyrje emergjente ndërsa theksoi se godina nuk gëzon status të veçantë.
?Instituti si një institucion i specializuar ka pasur dhe ka asistuar nëpërmjet ministrisë së Kulturës dhe TK dhe si e tillë kemi hartuar 3 ndërhyrje emergjente sipas kërkesës së vetë drejtorit lidhur me gjendjen e objektit. Jemi shumë afër këtij objekti se është në institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës, por jo se është objekt i trashëgimisë kulturore?, tha Daniela Miraci.
Urbanistet ndanë mendimin se godina aktuale nuk mund të rikonstruktohet, por ata kërkuan me shumë besim tek arkitektet vendas.
?Ju përmendët angazhimin e Biorke Engels, unë e kuptoj preferencën për një emër autoritar që patjetër është garanci për cilësinë. Besoj që gëzon respektin e komunitetit të arkitektëve, prapë duke e quajtur veten më shumë urbanist se arkitekt. Do doja të kishit më shumë besim edhe në gjenerimin e ideve nga komuniteti vendor i arkitektëve?, tha Flamur Kuçi.
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj u ndal tek rruga e mirëkuptimit dhe ulja e toneve për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
?Falenderimi i parë shkon për komunitetin e artistëve. Ne kemi pasur një komunikim shumë intensiv dhe pas dëgjesës më vjen mirë që konstatoj disa gjëra. Së pari që kemi ulur tonet dhe të arrijmë të kuptojmë që kjo tavolinë dhe tavolina e para tre ditësh përfaqëson ajkën e këtij qyteti. Ajo që zbulova nga dëgjesa është që kishte shumë më shumë konsensus sesa e mendoja. Mbizotëron ideja që patjetër duhet të kemi një teatër të ri, por si do ta kemi dhe në çfarë parametrash. Këto janë detaje që janë pjesë e një negocimi.?
Kjo është e disata tryezë diskutimi mbi atë çfarë do të ndodhë me godinën ekzistuese të teatrit, për të cilën një pjesë e komunitetit të artisteve ka reaguar ashpër duke kërkuar mos prishjen e saj.
Tv Klan