Një tërmet i fortë tronditi thuajse gjithë Shqipërinë në orën 11:01 të kësaj të mërkure. Për pak minuta komisionet parlamentare ndërprenë mbledhjet dhe deputetët dolën jashtë.
Pak metra më tej, edhe kabineti qeveritar është gjetur brenda godinës së Kryeministrisë ku po zhvillohej mbledhja e përjavshme. Ndjeshmëria e tërmetit ka qenë e lartë duke shkaktuar panik në kryeqytet. Të shumtë ishin qytetarët që lanë banesat dhe zyrat dhe dolën në rrugë. Linjat e kompanive celulare u bllokuan duke shkaktuar probleme në komunikim.
Instituti i Gjeoshkencës konfirmon se tërmeti ishte me epiqendër në Hamallaj pranë Gjirit të Lalzit në Durrës, me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter dhe një fortësi mbi 6 ballë. Ekspertët thonë se paslëkundjet do të vijojnë deri në qetësimin e pllakave tektonike.
Tërmeti konsiderohet i fortë nga sizmiologët, ai është pasuar me mbi 40 lëkundje të tjera, disa prej tyre më të forta.
Për fat, tërmeti ka shkaktuar vetëm panik dhe disa dëme të pakta materiale. Disa banesa kanë pësuar çarje të mureve në Durrës dhe Elbasan, por nuk pati të lënduar. Raportohet se lëkundjet janë ndjerë deri në Kosovë.