Partia Demokratike e konsideron vrasje mafioze ngjarjen tragjike të punonjësit të Gardës, Shkëlzen Qordja.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Edmond Spaho, një deklaratë për mediat nga selia blu, tha se shoferi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është vrarë me 3 plumba.
Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë se po mundohen të mbulojnë këtë ngjarje, duke e klasifikuar si vetëvrasje.
Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë mëngjesin e 30 Qershorit në ambientet e Gardës së Republikës. Policia e Shtetit tha zyrtarisht se 31-vjeçari kishte vrarë veten me 3 plumba të një arme automatike.
Deklarata e plotë e Edmond Spahos:
Ngjarja tragjike me shoferin e Ministrit të Brendshëm është vrasje mafioze, nuk është skenar fantazie, siç do ta shesë kryeprokurori Edi Rama. Këto 5 vjet në pushtet Edi Rama ka mohuar çdo skandal që implikon atë dhe qeverinë e tij në krim!
Edi Rama quajti skenar fantazie edhe transportin e droges me avionë. Ai tha se kriminelët në parlament dhe bashki ishin skenare makabër të opozitës.
Kanabizimin e vendit Edi Rama e quajti njesoj si sot, skenar fantazie makabër. Përfshirjen e Saimir Tahirit me Audin e tij AA 003 GB në trafikun ndërkombëtar të drogës bashkë me Habilajt, Edi Rama e cilësoi skenar kriminal të opozitës.
Edi Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm, për trafik ndërkombëtar droge. Tani, po mohon, me të njëjtat fjali, përfshirjen e Taulant Ballës, në pastrimin e parave të drogës me çështjen e 3.4 milionë eurove, të kapura në Toyota Yaris vetëm pasi u denoncuam nga opozita.
Mohimi i këtyre të vërtetave e la Shqipërinë jashtë Europës! Sepse më vend të së vërtetës dhe të Europës, Edi Rama zgjodhi Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Taulant Ballën, bashkëqeverisjen me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar interesat e shqiptarëve
Me Edi Ramën kryeministër dyert e Europës do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe Qershorin tjetër. Edhe për faktin se, për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba. /tvklan.al