Një tjetër tunel do të ndërtohet në rrugën Tiranë ? Elbasan. Këshilli Teknik në Autoritetin Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e ndërhyrjes në rrëshqitjen e ndodhur vjeshtën e vitit të shkuar në Mamel, në korsinë që lidh Elbasanin me Tiranën.
Tuneli do të jetë i ngjashëm me zgjidhjen e dhënë në rrugën Lin-Pogradec dhe do të kushtojë 4.6 milionë dollarë.
Studimi gjeologjik në këtë zonë konstatoi se rrëshqitja ishte serioze dhe se pastrimi i gurëve të rënë rrezikonte të shkaktonte rrëshqitjen e të gjithë shpatit të malit.
Mësohet se në Këshillin Teknik u paraqitën dy zgjidhje, njëra për ndërhyrjen në shpat dhe tjetra ishte ndërtimi i një tuneli të hapur dhe të shkurtër vetëm në njërën anë të korsisë.
Mësohet se projekti i zbatimit është në fazën e mbylljes dhe pas disa ditësh do të hapet tenderi për të kontraktuar kompaninë që do të zbatojë projektin.
Pas 7 vjetësh rruga Tiranë ? Elbasan parashikohet që të mbarojë këtë vit. Në total vepra i ka kushtuar buxhetit të shtetit 450 milion USD.